Home

Më shtrenjtë në Shqipëri sesa në Evropë! Ushqimet dhe qiratë më të kushtueshme

By fikso

May 19, 2025

Kostot e jetesës në Shqipëri po rriten më shpejt sesa në vendet e Evropës. Raporti i fundit i INSTAT tregon se inflacioni në muajin prill ishte 2.6%, ndërkohë që mesatarja e vendeve të Bashkimit Evropian ishte 2.4%.Nga 31 vende që janë pjesë e këtij raporti Shqipëria renditej në vendin e 14-të për çmimet e larta.

Njoftimi i INSTAT

Ndryshimi vjetor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit në muajin Prill 2025 është 2,6 %. Rritja më e madhe e çmimeve prej 8,2 % vërehet në grupin “Argëtim dhe kulturë”, pasuar nga grupet “Pije alkoolike dhe duhan” me 3,8 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 3,1 %, “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 3,0 %, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 2,8 %, “Veshje dhe këpucë” me 2,0 %, “Shërbimi arsimor” me 1,9 %, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 1,5 %, “Komunikimi” me 1,4 %, “Shëndeti” me 1,0 % dhe “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,7 %. Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Transporti” u ulën me 1,7 %.

Në muajin Prill 2025, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është 0,1 %. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” dhe “Argëtim dhe kulturë” me 0,6 % secili, pasuar nga grupet “Shëndeti” me 0,3 %, “Komunikimi” me 0,1 %. Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Transporti” u ulën me 0,4 %, pasuar nga grupet “Veshje dhe këpucë” me 0,3 % dhe “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 0,1 %.