Ministria e Financave ka regjistruar zyrtarisht në Qendrën Kombëtare të Biznesit “Bankën shqiptare të Zhvillimit’, me kapital fillestar 10 miliardë lekë ose rreth 100 milionë euro.Në fokus të këtij institucioni financiar do të jetë dhënia e kredisë për sektorët e nënfinancuar, nga bujqësia biznesi i vogël e i mesëm, start-up, sipërmarrjet e prodhimit, apo projektet me rëndësi për zhvillimin ekonomik.
“Banka ushtron veprimtaritë e mëposhtme: Financimin me karakter promovues:(i) kredidhënia për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe startup-et vendase për të nxitur rritjen, produktivitetin, konkurrueshmërinë dhe zgjerimin në tregjet 2 ndërkombëtare;(ii) kredidhënia dhe mbështetja për eksportet e mallrave dhe shërbimeve vendase;(iii) kredidhënia për projektet publike në nivel qendror e vendor, me përparësi për ekonominë e vendit;(iv) kredidhënia për zhvillimin, përmirësimin e modernizimin e infrastrukturës fizike dhe digjitale të vendit, në përputhje me objektivat strategjikë kombëtarë;1.2 kredidhënien për shoqëritë tregtare vendase bazuar në kushtet e tregut dhe në parimet e konkurrencës së lirë, si veprimtari plotësuese e financimit të ofruar nga bankat tregtare”, thuhet në ekstraktin e regjistrit tregtar.
Kredia që do jepet nga kjo bankë shtetërore si për qytetarët edhe bizneset do të jetë me kushte dhe interesa të buta. Tjetër përgjegjësi e bankës do të jetë edhe mbledhja e kursimeve vetëm të qytetarëve, jo të bizneseve me interesa që nuk do të konkurrojnë bankat tregtare.
“Në aspektin e financimit dhe/ose detyrimeve mund të: (i) emetojë obligacione afatshkurtra dhe afatmesme-afatgjata në tregjet financiare vendase dhe ndërkombëtare;(ii) pranojë depozita afatshkurtra dhe afatmesme nga bankat tregtare dhe institucionet e tjera financiare vendase dhe ndërkombëtare;(iii) ketë akses në operacionet e politikës monetare me Bankën e Shqipërisë dhe në operacionet e rifinancimit me bankat dhe institucionet financiare vendase dhe ndërkombëtare;(iv) marrë dhe administrojë fonde strukturore nga shteti dhe/ose institucionet supranacionale;(v) pranojë fonde të kthyeshme nga publiku, veçanërisht nga individët që nuk u ofrohet shërbim i plotë nga sistemi bankar, në formën e produkteve të kursimit, nëpërmjet një entiteti të veçantë të Postës Shqiptare sh.a. Produktet e kursimit të mbledhura nga publiku garantohen me garanci shtetërore dhe përdoren për aktivitete promovuese”, vijon më tej sqarimi i dhënë për objektin e aktivitetit të saj.
Adminsitrator i Bankës Shqiptare të Zhvillimit është caktuar Silvio Pedrazzi me karriere të gjatë në sektorin bankar. Ndërsa anëtarët e bankës janë Daniel Marc Demeulenaere, Arben Shkodra, Eris Hysi, Irida Huta dhe Artur Asllani.