Home

Klaudja Malaj/ Kur opozita i fut hundët në çdo protestë…

By fikso

April 03, 2018

Shqipëria pati vëmendje të madhe këtë javë edhe në mediat ndërkombëtare për shkak të protestës së zhvilluar me 31 mars në sportelet e doganës mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Mediat e huaja e kanë cilësuar këtë protestë si një revoltë të popullit kundër vendimeve të qeverisë, siç ishte tarifë-pagesa për në Rrugën e Kombit.

Duhet theksuar se “nuk është hera e parë që në Shqipëri bëhen protesta”. Protesta është një e drejtë legjitime që Kushtetuta e vendit tonë e përmban.

Qeveria shqiptare vendosi të zbatonte një nga planet e saj të shkruara në dokumentacione, siç ishte pikërisht taksa në Rrugën e Kombit.

Edhe pse ishte paralajmëruar se në prill do të vendosej në zbatim, ajo u testua në datë 25 mars. Një provë e cila ngriti zemëratë te banorët e Kukësit të cilët e frekuentojnë edhe më shpesh si rrugë.

Të ndodhur në këtë situatë banorët e asaj zone u ngritën dhe lajmëruan një protestë paqësore në pikën kufitare, e cila pati vetëm të dëmtuar dhe dëme materiale.

14 efektiv policor të plagosur dhe 23 persona të arrestuar ishte bilanci i kësaj proteste që në kryefjalë kishte heqjen e tarifës për kalimin në Rrugën e Kombit. Një protestë e paralajmëruar paqësore degradoi në dhunë dhe zjarrvënie.

Dikush apo shumë kush ishte i interesuar që kjo protestë të ngrinte dorën e dhunës dhe zërin e zemëratës. Nuk u kujdesën që një protestë të ishte paqësore.

Që në daljen e parë ai grup protestuesish edhe sipas pamjeve filmike, erdhën të mirë organizuar për të shkatërruar sportelet e pikës kufitare. Ata erdhën të pajisur me të gjitha mjetet e duhura për të shkaktuar dhunë dhe për të prishur gjithçka që ndodhej aty. Kjo protestë e mirë menduar u doli nga duart atyre të cilët e kishin planifikuar.

Rastësisht më shkoi në mendje një nga protestat paqësore në Shqipëri dhe që pati rezultat të menjëhershëm, ajo e Armëve Kimike.

Një protestë e cila u realizua nga Shoqëria Civile të cilës iu bashkuan shumë qytetarë, kryesisht studentë dhe familjarë me fëmijë, kjo e fundit si dëshmi se “këto armë do shkatërrojnë fëmijët tanë” dhe ishte vërtetë paqësore dhe i tregoi frytet e saj shumë shpejt.

Përpos anës shëndetësore, ekonomike e financiare që u komentuan në atë periudhë, vetë kryeministri Rama doli dhe u bashkua me qytetarët duke i thënë një JO të madhe Armëve Kimike në Shqipëri.

Pra dy protesta, nga vetë shqiptarët ku njëra dha rezultatet e dëshiruara dhe tjetra po përballet me ligjin për shkak të dhunës dhe prishjes së objekteve.

Çfarë të bën të mendosh që kjo protestë është politike?

Duke qenë se opozita e bashkuar nuk ka ende një kauzë të fortë për të protestuar, çdo gjë që mund të dali rrugës u bashkohet dhe e kthen në “kauzë” të saj.

Pas çizmes dhe tymueseve në Parlament, kësaj here u bashkua me thyerjen e xhamave, vendosjes së zjarrit, shkatërrimit të objekte, lëndimit të njerëzve dhe kundërshtimit me dhunë të ligjit. Politika duket që po e përdor këtë protestë për qëllime të saja, ose më saktë kishte plan ta përdorte, por situata u doli nga duart.

Askush nuk është kundër protestave, por duhet ndarë, kush e ka për qëllime vërtet ekonomike dhe që nuk përballon dot këtë tarifë dhe kush e ka për arsye politike.