Lajmet e fundit

KEK mobilizohet për kthimin e bllokut B1 në funksion, punonjësit vijojnë punën deri në orët e vona

By fikso

November 25, 2026

Pamjet që dokumentojnë përpjekjet e punonjësve për ta rikthyer në funksionim bllokun B1 të Termocentralit Kosova B janë bërë publike nga Sindikata e Re e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).

Nëpërmjet një videoje, sindikata ka nxjerrë në pah mobilizimin dhe përkushtimin e stafit, i cili po vazhdon punimet edhe gjatë orëve të vona, me qëllim që blloku B1 të kthehet sa më shpejt në operim.

Si shembull të këtij angazhimi, Sindikata e Re e KEK-ut ka veçuar Elbasan Nebihin, saldues në Termocentralin Kosova B dhe sindikalist, i cili, sipas kësaj sindikate, po vijon të japë kontribut në këtë proces me profesionalizëm dhe përgjegjësi.

Në mbishkrimin shoqërues të videos, sindikata ka çmuar punën e punonjësve, duke theksuar se ata, pavarësisht lodhjes dhe sfidave, po e japin maksimumin për KEK-un dhe sigurinë energjetike të vendit.

“KEK-u është shtëpia jonë, ndërsa punëtorët janë shtylla e saj!”, thuhet në reagimin e sindikatës, e cila ka shprehur krenari dhe mirënjohje për të gjithë punëtorët e angazhuar në rikthimin e bllokut B1 në operim.

The post KEK mobilizohet për kthimin e bllokut B1 në funksion, punonjësit vijojnë punën deri në orët e vona appeared first on Albeu.com.