Lajmet e fundit

IKSHPK zhvillon veprimtari ndërgjegjësuese për kancerin e gjirit në të gjitha rajonet

By fikso

October 16, 2026

Gjatë Tetorit Rozë, muajit që i kushtohet ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës po organizon aktivitete informuese dhe edukative në të gjitha rajonet e vendit.

Sipas njoftimit të IKSHPK-së, këto veprimtari po mbahen përmes Qendrave Rajonale të Shëndetit Publik, me pjesëmarrjen e institucioneve shëndetësore e arsimore dhe partnerëve lokalë.

Peja ka organizuar nisma solidariteti, përfshirë dhurimin e flokëve për mbështetjen e grave që përballen me kancerin e gjirit, si dhe ligjërata për edukimin shëndetësor.

Në Prizren, gratë e mbijetuara dhe organizata “Burrneshat” kanë mbjellë fidanë në kuadër të aktiviteteve simbolike. Në disa lokalitete të qytetit janë zhvilluar edhe ligjërata.

Mitrovica u bë vend i marshit tradicional kushtuar solidaritetit dhe ndërgjegjësimit. Ndërkaq, në Gjilan, Ferizaj dhe Prishtinë, ligjërata informuese u mbajtën në shkolla, institucione publike dhe qendra shëndetësore.

IKSHPK bën të ditur se përmes këtyre aktiviteteve synon të informojë për faktorët e rrezikut dhe shenjat e simptomat, si dhe të theksojë rëndësinë e kontrolleve të rregullta dhe zbulimit të hershëm të kancerit të gjirit. Instituti u bën thirrje qytetarëve të kujdesen për shëndetin duke u informuar, duke vepruar me kohë dhe duke u kontrolluar për veten dhe jetën.

The post IKSHPK zhvillon veprimtari ndërgjegjësuese për kancerin e gjirit në të gjitha rajonet appeared first on Albeu.com.