Lajmet e fundit

Fitimi i tregut të sigurimeve ra me 17% për 2024

By fikso

April 18, 2025

Fitimi i tregut të sigurimeve pësoi rënie vitin e kaluar. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), të bazuara në bilancet ende të paaudituara të vitit 2024, rezultati financiar i tregut pësoi rënie në 2.32 miliardë lekë, 17% më pak krahasuar me një vit më parë.

Fitimi ka pësuar rënie në të dyja segmentet e tregut, si të Jetës, ashtu edhe të Jo-Jetës.

Tregu i sigurimit të Jo-Jetës vitin e kaluar rezultoi me fitim në vlerën e 2.04 miliardë lekëve, 17% më pak krahasuar me vitin 2023.

Sipas analizës së AMF-së, ndikim në tkurrjen e rezultatit financiar e dha kryesisht rritja e raportit neto mes dëmeve dhe primeve dhe rritja e shpenzimeve operative.

Dëmet e paguara pa përfshirë pagesën e dëmeve nga risiguruesit (dëmet neto) në raport me primet e fituara neto u rritën në 40.6%, nga 35.2% që kishin qenë një vit më parë.

Në tregun e sigurimit të Jetës rezultati financiar pësoi rënie në 280 milionë lekë, 13% më pak krahasuar me vitin 2023.

Edhe në tregun e Jetës rezultati financiar, është ndikuar nga rritja e primeve të shkruara bruto, por si efekt i rritjes së shpenzimeve operative, rezultati financiar krahasuar me vitin 2023 është ulur. Raporti dëme/prime neto për vitin e kaluar gjithashtu u rrit në 20.4% nga 18.8%.

Primet e shkruara bruto në sigurime vitin e kaluar arritën një vlerë totale prej 24.5 miliardë lekësh ose rreth 250 milionë eurosh. Rritja vjetore e tregut, prej 7%, ishte më e ulëta në periudhën pas pandemisë. Megjithatë, pjesërisht ky ngadalësim është ndikuar edhe nga vazhdimi i forcimit të lekut në kursin e këmbimit valutor me euron.

Ndërkohë, dëmet shënuan një rritje më të lartë, me 24.4%, duke ndikuar në uljen e fitimeve të tregut.

Tregu i sigurimeve edhe vitin e kaluar u dominua nga segmenti i sigurimeve të Jo-Jetës, që për vitin 2024 përbënin afërsisht 91.5% të primeve të shkruara bruto. Pesha e këtij segmenti shënoi një rënie të lehtë nga niveli prej 91.8 i vitit 2023.

Brenda sigurimeve të jo-jetës, sigurimet e detyrueshme motorike ngelen dukshëm produktet me peshën kryesore, me 67.15% të primeve të shkruara bruto, megjithëse me një rënie të ndjeshme nga niveli prej 66.5% i një viti më parë.

Segmenti më i vogël i tregut, ai i sigurimit të Jetës, shënoi edhe për vitin 2024 ritme më të larta të rritjes se mesatarja, me 11.4% krahasuar me një vit më parë. Pesha specifike e këtij tregu ngelet e ulët, me 8.5% të primeve të shkruara bruto të tregut, por me një rritje të lehtë nga niveli prej 8.1% i vitit 2023. Edhe në këtë segment dominon produkti faktikisht i detyrueshëm i sigurimit të jetës së debitorit, me 79% të primeve të shkruara bruto./ E.Shehu

The post Fitimi i tregut të sigurimeve ra me 17% për 2024 appeared first on Revista Monitor.