Besimtarët myslimanë kremtojnë ‘Kurban Bajramin’ mes çmimeve të kripura dhe abuzimit nga tregtarët. Këtë fillim qershori, prodhime të stinës por edhe të importit kushtojnë shumë për xhepin e qytetarëve.
Tryezat e qytetarëve jo vetëm në ditë feste por edhe në të përditshmen janë më të vakëta, pasi të njëjtat produkte kushtojnë shumë herë më shtrenjtë se vitet e kaluara.
Në vitin 2022, në mesin e krizës së inflacionit ku çmimet pësuan një shtrenjtim të fortë e deri më sot ka produkte çmimi i të cilave është dyfishuar, dhe ka të tjera që janë 30% më të kushtueshme, por asnjë nuk kushton më pak.
Sot një kilogramë mish vici ju ka kushtuar qytetarëve 1250 lekë/kg apo mish keci/qengji me çmim 1270 lekë kilogrami. Ndërsa në vitin 2022 kur u regjistruan çmimet më të larta ndonjëherë mishi kushtonte 850-950 lekë. Pra një shtrenjtim prej gati 30% më shumë.
Po kështu edhe produktet e bulmetit sot janë 30-35% më shtrenjtë se para dy vitesh, një kilogramë gjalpë shitet mesatarisht 1100 lekë, nga 760 lekë që ishte më parë, apo djathi nga mesatarisht 650 lekë kilogrami ka arritur në 950 lekë/kg.
Ekspertët gjykojnë se shkaqet kryesore për këtë shtrenjtim janë: Së pari mungesa e prodhimit vendas për shkak se ka rënë ndjeshëm numri i bagëtive në vend. Së dyti është abuzimi i grumbulluesve dhe më pas i tregtarëve, dhe së treti mungesa e konkurrencës dhe e kontrolleve në treg.
Prodhimet e stinës të ‘paprekshme’
Edhe pse prodhim vendas qershitë mbeten të paprekshme pasi çmimi i tyre është 600 lekë/kg mesatarisht, ndërsa sezonin e hapën me 3000 lekë/kg. Çmime këto të papërballueshme për pjesën më të madhe të shqiptarëve.
Në marketet e kryeqytetit, domatet e vogla shiten me 200 lekë/kg, ndërkohë që çmimi i specave të kuq arrin 160 lekë/kg deri 200 lekë/kg. Luleshtrydhet shiten me 150 lekë për pako, karotat me 100-120 lekë/kg, po aq sa edhe domatet e gjata.
Specat e zakonshëm dhe patëllxhanët shiten me 110 lekë për kilogram.Ndërsa tek frutat, kajsitë kushtojnë 700 lekë/kg, dardha 300 lekë/kg, nektarinat 220 lekë/kg, ndërsa çmimi i mollëve nis nga 100-190 lekë/kg.
Në tregjet dhe supermarketet shqiptare, sidomos në qytetet e mëdha si Tirana, çmimet e frutave dhe perimeve shpesh nuk pasqyrojnë realitetin e kostove të prodhimit.
Në mungesë të strukturave të mirëorganizuara për kontrollin e çmimeve, tregtarët vendosin çmimet sipas interesit të tyre dhe jo sipas lëvizjes reale të ofertës dhe kërkesës.
Shumë prodhues bujqësorë shesin produktet e tyre me çmime minimale në fermë. Për shembull, domatet shiten nga fermerët me 30-40 lekë/kg, por në treg arrijnë në mbi 100 lekë/kg. Në këtë zinxhir, fitimi më i madh shpesh nuk shkon te bujku, por te ndërmjetësit dhe shitësit fundorë.