Lajmet e fundit

Eurodeputeti kroat: Agresioni i Serbisë ndaj Kosovës, Kroacisë dhe Bosnjës është fakt historik i pandryshueshëm

By fikso

October 15, 2026

Eurodeputeti kroat Davor Ivo Stier deklaroi se asnjë zhvillim politik nuk mund ta zhbëjë të vërtetën historike se Kosova, Kroacia, Bosnje e Hercegovina, si edhe Sllovenia, ishin viktima të agresionit të udhëhequr nga Serbia dhe presidenti i atëhershëm Sllobodan Millosheviq.

Ai e bëri këtë koment gjatë një interviste për Euronews Albania, teksa u pyet për procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Stier theksoi se kjo e vërtetë nuk duhet të zbehet apo të lihet mënjanë për shkak të politikës, duke nënvizuar se agresioni i nisur nga Serbia përbën një fakt historik të pakontestueshëm.

Sipas eurodeputetit, autoritetet serbe, kur flasin për këto zhvillime, përqendrohen vetëm te ndërhyrja e NATO-s dhe bombardimet, duke lënë të kuptohet sikur para tyre nuk kishte ndodhur asgjë.

Ai tha se ndërhyrja e NATO-s kishte një arsye të qartë: ndalimin e spastrimit etnik në Kosovë. Stier shtoi se lufta në Kosovë ishte konflikti i fundit i nisur nga Millosheviqi dhe se këto fakte historike nuk duhen neglizhuar.

The post Eurodeputeti kroat: Agresioni i Serbisë ndaj Kosovës, Kroacisë dhe Bosnjës është fakt historik i pandryshueshëm appeared first on Albeu.com.