Lajmet e fundit

EULEX dënon vrasjen e Arlinda Zekajt dhe shpreh ngushëllime

By fikso

October 27, 2026

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) ka reaguar pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke e dënuar ashpër rastin dhe duke shprehur ngushëllime për familjen e saj dhe të gjithë të prekurit nga humbja.

Në deklaratën e tij, misioni e cilësoi femicidin si formën më ekstreme të dhunës me bazë gjinore dhe si shkelje serioze të të drejtave themelore të grave.

EULEX-i nënvizoi se asnjë grua apo vajzë nuk duhet të jetojë nën kërcënimin e dhunës. Po ashtu, çdo grua që kërkon ndihmë dhe mbrojtje duhet të ketë mundësi të përdorë shërbimet mbështetëse dhe mekanizmat e nevojshëm të sigurisë.

Misioni bëri të ditur se do të vazhdojë të mbështesë institucionet e Kosovës në parandalimin dhe trajtimin e dhunës me bazë gjinore, në mbrojtjen e grave dhe fëmijëve të rrezikuar dhe në përmirësimin e qasjes së viktimave në drejtësi.

Sipas EULEX-it, parandalimi i femicidit kërkon përgjegjësi të përbashkët, bashkëpunim dhe veprime të vazhdueshme nga institucionet, shoqëria civile dhe komunitetet.

EULEX-i tha gjithashtu se po e përcjell nga afër rastin dhe se do të vijojë të ndihmojë institucionet përkatëse në punën e tyre.

The post EULEX dënon vrasjen e Arlinda Zekajt dhe shpreh ngushëllime appeared first on Albeu.com.