Lajmet e fundit

Berisha: Agasi me ndërmarrje 1 mijë euro, shkoi në 232 mln euro!

By fikso

December 27, 2025

Situata në Shqipëri është përkeqësuar nga qeverisja, aq sa shumë familje shqiptare janë larguar për shkak të abuzimeve dhe aferave korruptive.

Mbështetësit i vunë sot në dukje kryetarit të Partisë Demokratike se vendi po shpopullohet, teksa morën si përgjigje pohuese edhe disa nga konstatimet që kreu i selisë blu bëri, duke përmendur skandalet e korrupsionit dhe lidhjet e krimit me pushtetin.

“Shikoni çfarë ndodh. Ndërmarrja e Agasit regjistrohet me 1 mijë euro dhe shkon në pak muaj në 232 milionë euro. Ne i kemi evidentuar të gjitha këto. Ne kemi paketën tonë, qoftë për pensionet, minimumin jetik dhe ndërhyrjen për shtimin e popullatës. Duhen të paktën 30 vite për ta arritur këtë. Familjet shqiptare kanë ikur, mbi 1 milionë të larguar”, tha Berisha.

Më tej ai kritikoi kryeministrin Rama dhe tha se në vend që të mendojë për familjet, shtimin e popullsisë, rritjen e rrogave dhe pensioneve, ai bën ligje për oligarkët, për baronët e krimit dhe drogës, sikur ishte “paketa e Maleve”.

“Por çfarë bën ky? Ndihmon krimin, ndihmon baronët e drogës. Bën ligje për ta, bëri paketën e maleve ky. Atë ligj e kishim bërë ne, po ky e anuloi atë, dhe ku janë malet? Në Maminas! 20 resorte malore me lartësi nga 10-80 metra në lartësinë e detit, këto janë malet! Të gjithë trafikantët e drogës, njëri aq e tjetri kaq. Por ne do e shkatërrojmë, ne nuk ndalemi më, jo. Protesta e 22 dhjetorit nuk ndalet më, jo, edhe më 1991 nuk u ndalëm ne, derisa fituam”.

Ndërsa qytetarët i kërkuan bashkim opozitar dhe distancim nga ata që kërkojnë ta përçajnë PD-në, Berisha theksoi se ka projekt për ringritjen e opozitës dhe për triumfin, me njerëz të besueshëm, të ligjit, me qeveri teknike dhe me zgjedhje të lira.

“Ne do e arrijmë këtë me njerëz të besueshëm që nuk pengojnë drejtësinë dhe që zhvillojnë zgjedhje të lira. Qeveria teknike arrihet vetëm me protesta, nuk e lëshon pushtetin ai. Siç u arrit në Bangladesh, Sri Lanka etj., ne kemi trashëgiminë tonë, vullnetin tonë. Të jem realist Rama nuk është më ai që ishte, ai kundërmon sot. Ai paguante gazetat, paguante lobistat, e tani nuk i afrohet më njeri, se ka marrë aq shumë erë sa s’i afrohet kush më. PD kërkon qeveri teknike, ku kushti i vetëm është se ligji funksionon dhe të bëhen zgjedhje të lira”, u shpreh Berisha.

The post Berisha: Agasi me ndërmarrje 1 mijë euro, shkoi në 232 mln euro! appeared first on Lapsi.al.