TIRANË, 10 prill/ATSH/ Kreu i grupit parlamentar në Partinë Demokratike Gazment Bardhi, njëherësh drejtues i PD për qarkun e Fierit, ka zhvilluar sot një takim në Thanasaj të Lushnjës.
Bardhi tha se në këtë fshat të Lushnjës kuptohet qartë paradoksi në të cilin jetojmë.
“Ka rritje ekonomike, por kjo shkon për të pasuruar vetëm pak biznese, ndërsa shumica e njerëzve të zakonshëm janë më keq se 12 vite më parë. Kanë paguar më shumë taksa, por nuk kanë më shumë para, nuk marrin pensione më të larta, nuk kanë më shumë punë, kanë shumë më pak ose nuk kanë fare mundësi”, shkruan Bardhi.
Bardhi theksoi se me kandidatët Saimir Korreshi dhe Gentian Çela u kërkuan mbështetësve demokratikë që të përhapin kudo ku munden programin e PD.
“Njerëzit duhet ta dinë se ne kemi një Paketë Emergjence për t’i nxjerrë nga gremina 12-vjeçare! Minimumi jetik 200 euro, asnjë pension nën 200 euro, rritje 20% për çdo pension, paga minimale 500 euro, paga mesatare 1200 euro, çmim 7 lekë për energjinë”, nënvizoi ai.
Sipas Bardhit, “lekët për të bërë të mundur ndryshimin janë aty! Mjafton të mos i vjedhësh, siç bëri Belinda me drejtorët e saj për 12 vjet me radhë! Asnjë qindarkë nuk kanë për të gëzuar! Së bashku, do të bëjmë të mundur ndryshimin”.
/r.e/
The post Bardhi: Paketë Emergjencë, rritje 20% për çdo pension appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.