Briken Calja ka arritur të hyjë në historinë e sportit shqiptar dhe më veçanërisht peshëngritjes, pasi ka “rrëmbyer” gjithçka në europianin që po zhvillohet në Rumani. Peshëngritësi shqiptar ka fituar 3 medalja të arta në Europë, më saktësisht në shtytje, shkëputje dhe dy garësh.
Fitimi i medaljes së artë në shtytje nuk solli asnjë problem për Caljen, pasi nuk kishte asnjë konkurrent. Megjithatë situata ndryshoi në shkëputje, atje ku peshëngritësi shqiptar pasi ngriti me sukses peshën 171 kg, pësoi një dëmtim serioz në mesin e tij duke dështuar në provën e dytë. Teksa të gjithë prisnin dorëheqjen e tij, duke e humbur kështu mundësinë për t’u shpallur kampion në këtë stil, Calja rikthehet për të kryer provën e fundit me 175 kg, që i solli edhe fitoren.
Nëse do të ngrinte atë shtangë, atëherë do të shpallej fitues, në të kundërt, do të merrte vetëm 2 medalja të arta. Në fund, Calja arrin të marrë duartrokitjet e publikut të pranishëm në sallë dhe të shpallet kampioni absolut në Rumani, teksa largohet i shoqëruar nga stafi pas dëmtimit të pësuar në mesin e tij. Gjatë kohës së përgëzimeve nga garuesit e tjerë, sportisti shqiptar është përlotur me suksesin e arritur.
Dëmtimi i rëndë i pësuar vihej re lehtësisht edhe gjatë kohës kur Calja arrin në podium, për të kënduar himnin shqiptar. Lëndimi në mesin e tij, e detyroi që shpeshherë fituesit e medaljeve të argjendit dhe bronzit të ndihmonin Caljen të ngjitej në podium. Sakrificë, punë, lot dhe në fund triumf, Calja arrin të ngrejë në qiell flamurin shqiptar në Rumani./Fikso.al