FSHF kërkon nga UEFA organizimin e Superkupës së vitit 2020

0

Pas dështimit në kandidimin për të siguruar organizimin e Superkupës së Europës për vitin 2019, pasi fituese u shpall stadiumi “Besiktas Arena” i Stambollit, Federata Shqiptare e Futbollit ka depozituar këtë të enjte aplikimin e saj në UEFA për organizimin e të njëjtit event, këtë herë për vitin 2020.

Stadiumi ku mund të luhet kjo superfinale mes fituesit të Championsit dhe atij të Europa League, sigurisht do të jetë “Arena Kombëtare” e kryeqytetit. FSHF zyrtarizoi se grupi i punës për përfundimin e dosjes së plotë të dokumentacionit për këtë kandidaturë ka përfunduar praktikën e aplikimit dhe “Arena Kombëtare” është tashmë një nga impiantet kandidate.

Ideja për organizimin e këtij eventi të rëndësishëm në kalendarin e futbollit europian vjen nga dëshira për promovimin e vlerave të mikpritjes shqiptare, si dhe nga ambicja për zhvillimin e emrit të mirë të kulturës sportive në vend, e nxitur kjo edhe nga përfundimi i shpejtë i “Arenës Kombëtare”, punimet për të cilën vijojnë me intensitet shumë të lartë.

Organizimi në kryeqytet i Superkupës Europiane merr një rëndësi absolute, jo thjesht nga pikëpamja sportive, por mbi të gjitha edhe për imazhin e Shqipërisë, e sidomos Tiranës.

Pas dorëzimit të dosjes zyrtare në UEFA, Federata Shqiptare e Futbollit falënderon të gjitha institucionet që bashkëpunuan me të për plotësimin e kritereve të kërkuara nga UEFA, përfshirë këtu: Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Ministrinë e Arsimit, Rinisë dhe Sportit, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkinë e Tiranës, Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, Drejtorinë e Përgjithshme të Pronësisë Intelektuale, Inspektoratin Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut, “Tirana International Airport”, Agjencia Kombëtare e Turizmit, si dhe të gjithë partnerët e tjerë që u angazhuan me këtë proces për të kërkuar sërish për herë të dytë organizimin e një finale Superkupe në Tiranë.

Shumë shpejt “Arena Kombëtare” do të jetë gati si një vepër e madhe sportive kombëtare, dhe një kandidaturë potenciale për të organizuar një finale të një eventi europian të futbollit në vendin tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here