Champions, Juve fundoset në shtëpi, Bayern fiton me vështirësi në Spanjë

0

Janë luajtur mbrëmjen e sotme dy ndeshjet e para të fazës çerekfinale të UEFA Champions League ku kanë triumfuar në transfertë Real Madrid dhe Bayern Munchen, përkatësisht ndaj Juventus dhe Seviljes.

Madrilenët e patën të lehtë ndaj ish-rivalëve të tyre në finalen e Champions sezonin e kaluar, duke i mposhtur me rezultatin 3:0 ku ra në sy performanca e shkëlqyer e portugezit Cristiano Ronaldo.

Ndeshja nisi menjëherë me gol. Real Madridit i mjaftuan vetëm 3 minuta që të zhbllokonte rezultatin në “Allianz Stadium”. Njeriu i cili bëri të heshtin tifozët bardhezi ishte Cristiano Ronaldo. Pjesa e dytë nisi me bardhezinjtë më kërcënues.

Dybala krijoi panik në mbrojtjen madrilene, megjithatë, miqtë gjetën golin e dytë, falë një rroveshate të Cristiano Ronaldo-s që e la me gojë hapur tifozerinë torineze.

Për ta bërë situatën edhe më të pashpresë për “Zonjën e Vjetër” mendoi Dybala, i cili kreu një ndërhyrje të ashpër kundër Carvajal dhe mori kartonin e dytë të verdhë, duke e lënë ekipin me 10 futbollistë. Për madrilenët u bë gjithçka shumë e thjeshtë dhe ata gjetën rrjetën e tretë në të 72’, pas një aksioni të bukur me anë të Marcelo-s.

Këtë herë CR7 dha asistin. Në vazhdim, Reali menaxhoi rezultatin, ndërsa CR7 pati luksin të gabonte përballë Buffon. Për bardhezinjtë rrezikuan, Higuain dhe Chiellini.

Bayern mund Seviljen dhe pret kualifikimin
Bayern Munich zhvilloi një ndeshje të shkëlqyer në “Ramón Sánchez Pizjuán” duke mposhtur me përmbysje 2-1 ekipin e Sevilla.

Me këtë rezultat të besuarit e Jupp Heynckes janë me një këmbë në gjysmëfinalen e Champions League, pasi ndeshja e kthimit zhvillohet në Mynih. 45’ minutat e parë u mbyllën në barazim 1-1, me bavarezët që e kontrolluan lojën, por rastet më të pastra i patën andaluzianët.

Vendasit kaluan në avantazh në minutën e 32’ me anë të Sarabia. Pas një zbritjeje të shpejtë në sulm, Escudero kroson në zonë nga e majta dhe aty përfiton Sarabia, i cili nuk e ka të vështirë të mposhtë portierin Ulreich. Përveç disavantazhit, Heynckes e shqetëson edhe dëmtimi i Vidal.

Mesfushori largohet nga fusha duke i lënë vendin kolumbianit Rodriguez. Pak para fundit miqtë barazuan ndeshjen me anë të Ribery, që i ndihmuar edhe nga Navas e dërgoi topin në rrjetë.

Në të dytën Bayern Munich e nis në sulm dhe i afrohet ndjeshëm avantazhit me Ribery, që është protagonist në këto minuta. Miqtë e gjejnë avantazhin në minutën e 68’ me anë të spanjollit Alcantara. Pas një aksioni të shpejtë Ribery kroson nga e majta dhe topi shkon te Alcantara, i cili me kokë e dërgon në rrjetë (68’).

Në avantazh Bayern kontrollon lojën dhe i lë pak hapësira vendasve, që e kërkojnë me insistim golin e barazimit. Në minutat e fundit Sevilla hidhet e gjitha në sulm në kërkim të golit të barazimit, por pa sukses, me bavarezët, që administrojnë rezultatin dhe kthehen në Mynih me fitore.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here